Filmi spanjoll “Collision Course”, i drejtuar nga Daniel Sanchez Arevalos, e ka arritur titullin e filmit më të shikuar në Netflix gjatë javës 2-8 nëntor, me plot 17.2 milionë shikime dhe 30.3 milionë orë shikimi.
Ky thriller, i publikuar më 30 tetor, ka tejkaluar dukshëm filmin më të shikuar në anglisht, “A Dog’s Perfect Christmas”, i cili regjistroi 8.6 milionë shikime.
Në vendin e dytë në listën e filmave në gjuhë të huaja, renditet “My Best Friend”, me 11.4 milionë shikime.
Ngjarja e “Collision Course” zhvillohet në Madrid, gjatë krizës ekonomike në Spanjë, dhe përqendrohet te një grabitje banke që merr një kthesë të papritur pasi vetura e grabitësve aksidentohet.
Filmi paraqet versione të ndryshme të asaj që mund të ndodhë pas përplasjes, dhe një nga elementet më të veçanta të historisë është se disa prej grabitësve janë në fakt punonjës policie që përfshihen në hetimin e krimit që ata vetë e kanë kryer.
Në kastin e filmit ndodhen emra të njohur të kinematografisë spanjolle si Laia Costa, Karra Elejalde, Luis Zahera, Tamar Novas, Alvaro Cervantes dhe Lluís Homar.
Megjithatë, pavarësisht suksesit në shikueshmëri, pritja nga kritika ka qenë e përzier.
Disa recensues vlerësuan tensionin, ritmin dhe qasjen interesante ndaj filmave me grabitje, ndërsa të tjerë kritikuan mungesën e thellësisë së personazheve dhe faktin se historia mbështetet më shumë te kthesat e papritura sesa te zhvillimi i tyre.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com




