temp image 262 temp image 262 scaled

Ryan Shawcross: Debutimi i Pashpresë përballë Zlatan Ibrahimovicit

- Advertisement -

Përballja me Zlatan Ibrahimovicin në kulmin e karrierës së tij ishte një sfidë e madhe për çdo mbrojtës, dhe kjo e ka përjetuar edhe ish-qendërmbrojtësi anglez Ryan Shawcross.

Ai nuk e ka harruar kurrë debutimin me Kombëtaren e Anglisë, pasi në vetëm 10 minuta përballë sulmuesit suedez, sipas humorit të familjarëve të tij, iu “shkatërrua” karriera ndërkombëtare.

Pas disa sezoneve të suksesshme me Stoke Cityn në Ligën Premier, Shawcross mori ftesën e parë nga Anglia në vitin 2012.

Mbrojtësi kishte pritur me padurim këtë mundësi, por debutimi i tij erdhi në një ndeshje aspak të lehtë, përballë Suedisë, ku përballë kishte një nga sulmuesit më të rrezikshëm të botës, Zlatan Ibrahimovicin.

Shawcross u aktivizua për rreth 10 minuta, por nuk arriti të linte përshtypjen që kishte shpresuar.

Për më tepër, ajo paraqitje u bë temë e vazhdueshme shakaje në familjen e tij, pasi të afërmit vazhdimisht ia kujtonin se Zlatani ia kishte prishur karrierën me Anglinë.

Në një intervistë, ish-mbrojtësi anglez e kishte rrëfyer me humor atë episod: “Unë jam objekt shakaje në familjen time, vetëm sepse 10 minutat që pata në futbollin ndërkombëtar u shkatërruan nga një njeri.

Ata vazhdimisht thonë se Zlatan ma shkatërroi karrierën!

Pata një shans dhe nuk mendoj se shumë mbrojtës të tjerë e kanë ndaluar”. “Më dhanë 10 minuta për të treguar se çfarë mund të bëja dhe ndoshta nuk dhashë një paraqitje mjaftueshëm të mirë.

Isha kundër njërit prej sulmuesve më të mirë në botë, i cili ishte në një seri të mirë në atë kohë dhe këto gjëra ndodhin”, kishte thënë Shawcross.

Ironikisht, ato mbetën minutat e vetme të tij me fanellën e Anglisë.

Pavarësisht paraqitjeve të mira në nivel klubesh dhe viteve të qëndrueshme në Ligën Premier, ai nuk mori më asnjë ftesë tjetër nga Anglia.

Shawcross nuk pati një karrierë të zakonshme në futbollin anglez.

Pasi kaloi në akademinë e Manchester Unitedit dhe luajti për një periudhë si i huazuar te Royal Antwerp, ai u transferua te Stoke City, ku u shndërrua në një nga figurat kryesore të skuadrës dhe një mbrojtës të respektuar në Ligën Premier.

- Advertisement -