UEFA ka publikuar renditjen përfundimtare të Fair Play për sezonin 2025/2026, ku Kosova ka zënë vendin e 37-të nga 55 federatat anëtare, me një total prej 7.957 pikësh.
Në kategorinë që vlerëson sjelljen e shikuesve, vendi ynë ka një pozicion shumë më të mirë, duke u renditur i 17-ti.
Renditja e publikuar nga UEFA të martën bazohet në vlerësimin e ndeshjeve të të gjitha garave që organizon, si në nivel klubesh ashtu edhe në atë të përfaqësueseve.
Periudha e marrë në shqyrtim përfshin ndeshjet e zhvilluara nga 1 korriku 2025 deri më 30 qershor 2026.
Në klasifikimin e përgjithshëm, Kosova ka grumbulluar 7.957 pikë nga 75 ndeshje të vlerësuara.
Para Kosovës renditen, ndër të tjera, Maqedonia e Veriut në vendin e 30-të, ndërsa pas saj janë Shqipëria në të 48-in dhe Serbia në të 47-in.
Pas Kosovës renditen gjithashtu Kroacia, Qiproja, Gjibraltari dhe Portugalia.
Në krye të renditjes së përgjithshme gjendet Islanda me 8.533 pikë, e ndjekur nga Norvegjia me 8.470 dhe Danimarka me 8.458 pikë.
Në pesëshen e parë janë edhe Finlanda dhe Anglia.
Për këtë klasifikim janë marrë parasysh vetëm federatat që kanë zhvilluar së paku 50 ndeshje në garat e UEFA-s gjatë periudhës së caktuar.
Një rezultat më pozitiv për Kosovën vërehet në kategorinë e sjelljes së shikuesve, ku përfaqësohet në vendin e 17-të.
Ky pozicion tregon se vlerësimi i tifozëve kosovarë në këtë aspekt është më i mirë sesa pozita e federatës në klasifikimin e përgjithshëm të Fair Play.




