Edon Zhegrova shprehet i pakënaqur me minutat e lojës që po merr te Juventusi dhe dëshiron të ketë një rol më të rëndësishëm në skuadër nën drejtimin e Luciano Spallettit.
Sipas Fabrizio Romanos, anësori nga Kosova mendon se ka treguar se mund ta ndihmojë ekipin kur aktivizohet nga stoli.
Tani ai shpreson të nisë ndeshjet si titullar, në vend që të hyjë në fushë vetëm në minutat e fundit.
Statistikat flasin vetë.
Zhegrova ka bërë nëntë paraqitje në Serie A këtë sezon, të gjitha si zëvendësues, duke grumbulluar gjithsej 249 minuta.
Që nga transferimi i tij nga Lille në Torino, para një viti e gjysmë, futbollisti kosovar ende nuk ka nisur asnjë ndeshje të kampionatit italian si titullar.
Ndikimi i tij në ato pak minuta që ka pasur, është argumenti kryesor për kërkesën e tij për më shumë hapësirë, pasi këtë sezon ka regjistruar dy gola dhe dy asistime në Serie A.
Paraqitjen më të mirë si zëvendësues e pati më 1 nëntor kundër Napolit, kur asistoi për Kerim Alajbegovicin në golin e parë të fitores 2-0 në Allianz Stadium.
Zhegrova la gjurmë edhe të dielën, kur u aktivizua nga stoli në ndeshjen ndaj Fiorentinës dhe harkoi një top për Douglas Luizin, i cili shënoi me kokë në barazimin 2-2.
Romano raporton se kjo situatë duhet të ndiqet me vëmendje përpara afatit kalimtar të janarit, pasi e ardhmja e anësorit mund të vihet në pikëpyetje nëse roli i tij nuk ndryshon.
Ndërkohë, mediumi TuttoJuve raporton se Juventusi mund ta nxjerrë Zhegrovën sërish në treg gjatë janarit dhe të dëgjojë ofertat e favorshme, në kuadër të përpjekjeve për të zvogëluar numrin e lojtarëve në skuadër.




