Sarah Huckabee Sanders, guvernatorja aktuale e Arkansasit dhe ish-zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së Donald Trumpit, ka bërë bujë në rrjetet sociale për një arsye që nuk është aspak e këndshme.
Sanders, e cila ka shërbyer si zëdhënëse e Trumpit nga viti 2017 deri në vitin 2019, tani është duke promovuar librin e saj të ri “UNAPOLOGETIC”.
Ajo tha: “Besimi im nuk ndikon vetëm tek unë – ai më përcakton”, duke theksuar se libri trajton identitetin dhe bindjet që, sipas saj, duhet të jenë baza e së ardhmes.
Problemi shpërtheu me fotografinë promovuese të librit.
Në kopertinë ishte parashikuar që të shkruhej: “Clarity and Conviction in a World Gone Crazy”, por përdoruesit e rrjeteve sociale menjëherë vunë re disa gabime të habitshme.
Fjala “clarity” ishte shkruar gabimisht si “clerity”, ndërsa në fjalën “crazy” shkronja “z” ishte zëvendësuar me një simbol që i ngjante numrit 3 të kthyer mbrapsht.
Kjo shkaktoi dyshime se fotografia promovuese mund të ishte krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Postimi u shpërnda me shpejtësi, ndërsa shumë përdorues e kritikuan Sanders për faktin se, nëse imazhi ishte vërtet gjeneruar me AI, askush nuk kishte marrë mundimin të kontrollonte gabimet para publikimit.
Situata u bë edhe më ironike kur u vërtetua se kopertina e librit e publikuar në Amazon nuk përmban të njëjtat gabime.




