temp image 240 temp image 240

Presidentja Shiroka-Pula Largon Deklaratën e Pavarësisë, LDK Reagon

- Advertisement -

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë një vendim të papritur duke hequr Deklaratën e Pavarësisë nga vendi i nderit në Presidencë, për ta zëvendësuar atë me një punim filigrani.

Në fotografitë më të fundit, shihet se punimi i filigranit është vendosur në hapësirën ku deri tani qëndronte Deklarata e Pavarësisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj këtij veprimi, duke e quajtur të papranueshëm vendimin e presidentes për të larguar Deklaratën e Pavarësisë dhe fotografinë e presidentit historik Ibrahim Rugova nga hapësirat e Presidencës.

Deri në postimin e së premtes, Deklarata e Pavarësisë ndodhej aty.

Në një reagim zyrtar në rrjetet sociale, LDK ka theksuar se Presidenca është një institucion shtetëror që nderon themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës. “Fotografia e Atit Themelues të Republikës së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike e shtetërore.

Trajtimi i tyre si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe i papranueshëm”, theksohet në reagimin e LDK-së.

Sipas kësaj partie, presidenti Ibrahim Rugova përfaqëson udhëheqjen historike të përpjekjes së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, ndërsa Deklarata e Pavarësisë shpreh vullnetin e popullit për një shtet të pavarur dhe sovran.

LDK-ja vlerëson se largimi i këtyre dy simboleve dëmton respektin institucional ndaj historisë dhe identitetit shtetëror të Kosovës.

Në reagim, ata theksojnë se përgjegjësia e Presidencës është të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë e tij, pavarësisht ndërrimit të presidentëve.

Prandaj, LDK-ja i ka kërkuar presidentes Shiroka-Pula që ta rishikojë vendimin dhe të rikthejë fotografinë e Ibrahim Rugovës dhe Deklaratën e Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë. “Një veprim i tillë do të dëshmonte respektin që institucioni i Presidentit duhet të ketë ndaj themeleve të Republikës që përfaqëson”, thuhet në reagim.

Punimi i filigranit në sallën e takimeve të Presidencës lidhet gjithashtu me trashëgiminë familjare të presidentes Justina Shiroka-Pula.

Babai i saj, Simon Shiroka (1927–1994), ishte një nga mjeshtrit më të njohur të filigranit në Kosovë.

Artisti prizrenas e zhvilloi këtë zeje tradicionale në një formë të artit pamor, ndërsa veprat e tij janë ekspozuar në Kosovë dhe jashtë saj.

Presidentja ka qenë e angazhuar për ruajtjen dhe promovimin e krijimtarisë së të atit gjatë viteve.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -