Një shënim i vogël, i dorëzuar fshehurazi një gruaje që sapo kishte blerë hashash, zbuloi një realitet tronditës në Marseille. “Po na mbajnë peng dhe kemi nevojë për ndihmë.
Jemi 15 vjeç”, shkruhej në të.
Dy adoleshentët kishin kërkuar punë te një grup kriminal, por shumë shpejt ishin kthyer në viktima.
Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, ata u rrahën vazhdimisht, u poshtëruan dhe u mbajtën nën kërcënim.
Njëri prej tyre ishte edhe viktimë e dhunës seksuale.
Ata tentuan të arratiseshin nga një dritare e katit të dytë.
Njëri shpëtoi, ndërsa tjetri u kap, u rrah dhe u godit me thikë, por mbijetoi.
Gjashtë persona janë dënuar më pas për atë që u ndodhi dy të rinjve.
Rasti është vetëm një shembull i kontrollit që bandat e drogës kanë fituar në pjesë të qytetit të Marseille-it, veçanërisht në lagjet veriore, ku dhuna, trafikimi i drogës dhe rekrutimi i të rinjve janë kthyer në një problem të madh.
Në qendër të kësaj bote kriminale është DZ Mafia, një nga grupet më të fuqishme dhe më të frikshme në Francë.
Banda u forcua pas një lufte të përgjakshme për territor dhe ka përdorur edhe rrjetet sociale për të ndërtuar imazhin e saj dhe për të rekrutuar anëtarë të rinj.




