Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Egjiptin të dielën, kur dy trena pasagjerësh u përplasën në distriktin al-Ayyat, në provincën Giza, rreth 73 kilometra në jug të kryeqytetit Kajro.
Si pasojë e përplasjes, të paktën shtatë persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 110 të tjerë janë plagosur, sipas të dhënave të autoriteteve egjiptiane.
Aksidenti ndodhi në një linjë hekurudhore ku qarkullonin dy trena që shërbenin për udhëtime të rëndësishme brenda vendit.
Sipas Ministrisë së Transportit të Egjiptit, një tren që udhëtonte nga Giza drejt provincës Fayoum u përplas me pjesën e pasme të një treni tjetër që po udhëtonte nga Kajro drejt Aswanit, në jug të vendit.
Fillimisht, autoritetet njoftuan se njëri prej trenave kishte dalë nga shinat dhe kishte përfunduar në një rrugë rurale pranë vendit të aksidentit.
Megjithatë, në njoftimet e para nuk u bë e qartë se cili prej trenave kishte dalë nga binarët.
Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve, Prokuroria Publike egjiptiane sqaroi se treni që udhëtonte nga Giza drejt Fayoumit ishte përplasur me vagonin e fundit të trenit Kajro-Aswan, i cili kishte ndaluar në të njëjtën linjë hekurudhore.
Të dy trenat po lëviznin në të njëjtin drejtim përpara përplasjes.
Sipas vlerësimeve fillestare të Prokurorisë, shtatë persona kanë humbur jetën, përfshirë edhe drejtuesin e trenit që udhëtonte nga Giza drejt Fayoumit, ndërsa 114 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë raportoi për 112 të plagosur, duke bërë të ditur se numri përfundimtar i viktimave dhe të lënduarve ishte ende duke u verifikuar.
Pas përplasjes, në vendin e ngjarjes janë angazhuar ekipe të shumta të emergjencës, autoambulanca dhe mjete të rënda për largimin e rrënojave dhe vagonëve të dëmtuar.
Sipas autoriteteve, më shumë se 70 autoambulanca janë përfshirë në operacionet e transportimit dhe evakuimit të të plagosurve, të cilët janë dërguar në spitalet e afërta për trajtim mjekësor.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se ministri Khaled Abdel Ghaffar po e përcillte nga afër situatën pas aksidentit, ndërsa kishte urdhëruar të gjitha institucionet shëndetësore në provincat Giza dhe Beni Suef që të rrisnin nivelin e gatishmërisë dhe të siguronin të gjithë mbështetjen e nevojshme mjekësore.
Të dhënat mjekësore tregojnë se të lënduarit kanë pësuar dëmtime të ndryshme, përfshirë mavijosje, fraktura të gjymtyrëve, dëmtime në legen dhe rruaza të shtyllës kurrizore, si dhe plagë në kokë dhe fytyrë.
Ministria konfirmoi se një pjesë e pacientëve vazhdonin të merrnin trajtim në spital, nën vëzhgimin e vazhdueshëm të personelit mjekësor.
Në ndihmë të viktimave dhe familjarëve të tyre ka dalë edhe Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane, e cila dërgoi ekipe nga selia qendrore dhe degët në Giza, Fayoum dhe Beni Suef.
Përveç ndihmës së drejtpërdrejtë, organizata po ofron edhe mbështetje psikologjike për personat e prekur nga tragjedia.
Presidenti Abdel-Fattah el-Sisi ka kërkuar hetim urgjent dhe përgjegjësi për fajtorët e aksidentit.
Ai shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjet që humbën të afërmit e tyre dhe bëri thirrje për sigurimin e kujdesit të nevojshëm mjekësor për të plagosurit.
Edhe kryeministri egjiptian, Mostafa Madbouly, ka premtuar mbështetje për familjet e viktimave dhe po ndjek nga afër përpjekjet për trajtimin e të plagosurve.
Prokuroria Publike e Egjiptit ka nisur zyrtarisht hetimet për tragjedinë, me qëllim përcaktimin e rrethanave dhe shkaqeve që çuan në përplasjen e dy trenave.
Aksidenti i fundit e rikthen në vëmendje gjendjen e infrastrukturës hekurudhore në Egjipt, një shtet me rreth 110 milionë banorë, ku transporti me trena mbetet një nga mënyrat më të rëndësishme dhe më të përballueshme të udhëtimit.
Historikisht, Egjipti është përballur me një numër të lartë aksidentesh hekurudhore, duke e bërë sigurinë e këtij rrjeti një çështje të rëndësishme për vendin.




