temp image 592 temp image 592 scaled

Dy Ditë Zie Kombëtare në Poloni Pas Sulmit në Krakovë

- Advertisement -

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka shpallur dy ditë zie kombëtare në Poloni pas sulmit të rëndë me armë zjarri në qytetin e Krakovës, ku humbën jetën gjashtë persona dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur.

Vendimi u njoftua gjatë një konference për media në Krakovë, ku Tusk tha se e diela, 8 nëntor, dhe e hëna, 9 nëntor, do të shpallen ditë zie për të gjithë vendin.

Sulmi ndodhi të shtunën, rreth orës 15:00, në afërsi të Sheshit Kryesor (Rynek Główny), në qendrën historike të Krakovës.

Sipas informacioneve nga autoritetet, një person hyri me veturë në zonën e sheshit dhe hapi zjarr ndaj kalimtarëve të rastësishëm.

Gjashtë persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën, përfshirë dy policë.

Në mesin e të plagosurve janë pesë shtetas të huaj, ndërsa një shtetas britanik është raportuar si viktimë.

Policia reagoi menjëherë ndaj sulmit, duke qëlluar të dyshuarin, i cili më pas u arrestua dhe u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Sipas autoriteteve polake, i dyshuari është një shtetas polak, rreth 25 vjeç.

Ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, njoftoi se hetimet paraprake kanë zbuluar shenja të ndikimit nga ideologjia e ekstremit të djathtë dhe pikëpamje ultranacionaliste.

Megjithatë, motivi i saktë i sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende objekt hetimi.

Një zhvillim i ri tronditës u bë i ditur nga kryeministri Tusk gjatë konferencës për media.

Ai njoftoi se në banesën e të dyshuarit, në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski, janë gjetur trupat e pajetë të tri personave: dy grave dhe një burri, të cilët dyshohet se janë familjarë të tij.

Autoritetet po hetojnë gjithashtu lidhjen e mundshme të këtyre vdekjeve me sulmin në Krakovë.

- Advertisement -