Jeremie Frimpong mund të largohet nga Liverpooli vetëm 18 muaj pas transferimit të tij në Anfield, pasi raportohet se klubi anglez e ka ofruar mbrojtësin te një skuadër e Arabisë Saudite.
Holandezi iu bashkua “Të Kuqve” në vitin 2025 nga Bayer Leverkuseni për shumën prej 34 milionë eurosh, në një transferim që fillimisht u konsiderua si një goditje e mirë për Liverpoolin.
Megjithatë, reprezentuesi i Holandës ka pasur vështirësi në Anfield, ku ishte transferuar për të zëvendësuar Trent Alexander-Arnold, i cili u largua drejt Real Madridit.
Frimpong zhvilloi 35 paraqitje në sezonin e tij të parë, por forma e dobët bëri që ai të mos përfshihej në listën e Ronald Koemanit për Kupën e Botës.
Ish-futbollisti i akademisë së Manchester Cityt ka luajtur në tetë ndeshje këtë sezon, por duket se transferimi i verës, Ronaldo Araujo, ka siguruar vendin e titullarit në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Sipas gazetarit Ismael Mahmoud, Frimpong është i hapur për t’u larguar nga Liverpooli, pavarësisht se ka vetëm 18 muaj që është pjesë e klubit.
Raporti pretendon se Liverpooli tashmë e ka ofruar mbrojtësin te Al Hilal, skuadra që kryeson Superligën e Arabisë.
Në ekipin e drejtuar nga Simone Inzaghi, gjatë verës u transferua edhe bashkëkombësi i Frimpongut, Crysencio Summerville, si dhe sulmuesi anglez Ollie Watkins dhe reprezentuesi brazilian Gabriel Martinelli.
Frimpong thuhet se është i hapur për të luajtur në Arabinë Saudite, ku do të përfitonte një pagë të majme.




