Gjilani ka arritur një fitore të rëndësishme në derbin ndaj Malishevës, duke e mposhtur atë me rezultatin 3-2 në kuadër të javës së 13-të të elitës së futbollit kosovar.
Kjo fitore i sjell tri pikë të vyera në garën për pozitat e kreut të tabelës.
Takimi nisi në favor të Gjilanit, i cili kaloi në epërsi që në minutën e 11-të.
Arjol Bllaca shfrytëzoi asistimin e Ardian Limanit dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Malisheva reagoi në fillim të pjesës së dytë, kur në minutën e 47-të Valmir Nafiu shënoi për 1-1, pas një asistimi të Rimal Haxhiut, duke rikthyer baraspeshën në këtë përballje.
Mysafirët patën një mundësi të shkëlqyer për ta përmbysur rezultatin në minutën e 73-të, kur fituan një penallti.
Megjithatë, Nafiu nuk arriti ta shfrytëzojë rastin, pasi portieri Marijan Coric reagoi me një pritje fantastike nga pika e bardhë.
Dënimi për këtë rast të humbur erdhi vetëm pesë minuta më vonë.
Në minutën e 78-të, Arjol Bllaca realizoi golin e tij të dytë dhe riktheu epërsinë për Gjilanin, duke e çuar rezultatin në 2-1.
Gjilani nuk u ndal me kaq dhe në minutën e 87-të shënoi edhe golin e tretë.
Këtë herë Bllaca ishte asistues, duke shërbyer për Bleart Tolajn, i cili realizoi për 3-1.
Megjithatë, Malisheva nuk u dorëzua dhe në minutën e 92-të arriti ta ngushtonte epërsinë.
Xhemajl Ibishi shënoi për 3-2, duke i dhënë fund një derbi me shumë emocione, por pa ia dalë ta shmangë humbjen e skuadrës së tij.
Me këtë fitore, Gjilani ngjitet në kuotën e 22 pikëve dhe pozicionohet në vendin e katërt në tabelë.




