temp image 377 temp image 377

Tensionet Politike në Universitetin e Mitrovicës së Veriut: Kolegji i Rektorit Reagon

- Advertisement -

Kolegji i Rektorit të Universitetit të Mitrovicës së Veriut, i cili vepron sipas sistemit të Serbisë, ka theksuar se komuniteti akademik nuk duhet të shndërrohet në një hapësirë për përplasje politike.

Rektori, prorektori dhe drejtuesit e fakulteteve të universitetit i kryejnë detyrat e tyre “me ndërgjegje dhe përgjegjësi”.

Ky reagim erdhi pas kërkesës së 24 pedagogëve, përfshirë edhe kandidatë nga Lista Studentore që fitoi zgjedhjet në Serbi, për dorëheqjen e rektorit dhe prorektorit, për shkak të “cenimit të autonomisë së Universitetit, presionit politik ndaj punonjësve dhe lejimit të ndikimit partiak”. “Vlerësojmë se drejtuesit e Universitetit, me veprimet e tyre, kanë rrezikuar liritë akademike, dinjitetin e profesionit të mësimdhënësit dhe të ardhmen e një institucioni me rëndësi të jashtëzakonshme për mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në kërkesën e grupit të pedagogëve.

Megjithatë, Kolegji i Rektorit thekson se funksionet drejtuese në universitet “nuk janë objekt i ndarjes politike, por i përgjegjësisë akademike dhe institucionale”. “Nëse të gjithë angazhohemi për ruajtjen e autonomisë së Universitetit, atëherë duhet ta mbrojmë atë nga ndikimet e ndryshme politike, duke respektuar në mënyrë të vazhdueshme ligjin, kriteret akademike dhe procedurat institucionale, e jo ta shndërrojmë në një arenë të përplasjeve politike”, thuhet në reagim.

Në lidhje me akuzat për mbështetje ndaj Listës Serbe dhe ushtrimin e trysnisë ndaj punonjësve për të siguruar mbështetje nga Partia Progresive Serbe dhe ish-presidenti Aleksandar Vuçiq, Universiteti i Mitrovicës së Veriut sqaroi se respektimi i politikës shtetërore dhe i kornizës institucionale të Serbisë nuk është e njëjtë me angazhimin politik. “Veprimi në përputhje me politikën shtetërore dhe kornizën ligjore në fuqi nuk mund të interpretohet vetvetiu si angazhim politik apo keqpërdorim i funksionit akademik”, theksohet në reagim.

Zyrtarë të lartë të Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, janë të pranishëm në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, i cili, pas zhvendosjes nga Prishtina në vitin 1999, vazhdoi të operojë në sistemin e Serbisë.

Tanja Vujoviq, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, është dekane e Fakultetit Ekonomik, ndërsa kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, është prodekan i Fakultetit të Mjekësisë.

Megjithatë, kandidatët e Listës Studentore dhe grupi i pedagogëve që i mbështesin ata, besojnë se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi treguan se qytetarët votuan për ndryshime.

Në vend që të mbështeste studentët që protestuan kundër Qeverisë serbe, Universiteti i Mitrovicës së Veriut kishte mbështetur pushtetin.

Kolegji i Rektorit gjithashtu theksoi se bindjet politike të individëve nuk kanë qenë as privilegj as pengesë në zbatimin e procedurave akademike.

Ai rikujton se përfaqësuesit e themeluesit në Këshillin e Universitetit emërohen nga Qeveria e Serbisë dhe se vetë universiteti nuk merr pjesë në procesin e propozimit dhe përzgjedhjes së këtyre anëtarëve.

Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Universitetit të Mitrovicës së Veriut, të paktën pesë anëtarë të Listës Serbe, përfshirë kryetarin e saj, Zllatan Ellek, janë pjesë e Këshillit të Universitetit si përfaqësues të Serbisë.

Një nga anëtarët e këtij Këshilli është edhe Goran Rakiq, ish-kryetar i Listës Serbe, i cili ishte deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Progresive Serbe.

Këshilli i Universitetit është organ drejtues dhe përbëhet nga 19 anëtarë: 10 përfaqësues të fakulteteve, gjashtë përfaqësues të themeluesit, pra të Qeverisë së Serbisë, dhe tre përfaqësues nga radhët e studentëve.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -