Deputeti Eman Rrahmani ka kërkuar shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës për dështimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ai theksoi se institucionet e kanë humbur mundësinë për të treguar përgjegjësi morale përmes dorëheqjeve, dhe tani është koha për masa konkrete.
Gjatë emisionit “Debat Plus”, Rrahmani shprehu se përgjegjësia për shkarkimet duhet të merret nga kryeministri. “Është dashur që t’i japin standarde, siç ndodh në secilin vend të botës, me dorëheqje.
Tashmë ka kaluar koha e dorëheqjes, tash është koha e shkarkimeve dhe që të duhej të bëhej nga kryeministri”, tha ai.
Si anëtar i Komisionit Hetimor parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt, deputeti kërkoi hetimin e funksionimit të të gjithë sistemit institucional.
Ai kritikoi pushtetin për mënyrën se si janë trajtuar rastet e dhunës në familje dhe vrasjet gjatë viteve të fundit.
Rrahmani pretendoi se gjatë gati shtatë vjetëve të qeverisjes aktuale ka pasur rritje të rasteve të tilla, duke e lidhur këtë me mosfunksionimin e duhur të institucioneve.
Sipas tij, përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te zyrtarët e përfshirë drejtpërdrejt në rastin e Zekajt, por duhet të shqyrtohet funksionimi i sistemit në tërësi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




