Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar rëndësinë e kontributit të diasporës shqiptare në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Zvicrës, përmes një postimi në Facebook pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis.
Konjufca ka shprehur mirënjohjen për mbështetje të vazhdueshme që Zvicra i ofron Kosovës dhe për mundësitë që ky shtet ka krijuar për bashkatdhetarët shqiptarë në periudha të vështira për vendin. “Mundësitë që diaspora jonë gjeti në Zvicër u kthyen në kontribut për të dyja vendet: me punën e tyre ndihmuan në zhvillimin e shoqërisë zvicerane, ndërsa me përkushtimin ndaj atdheut u bënë një prej shtyllave të rimëkëmbjes dhe zhvillimit të Kosovës.
Forma e këtij ndërveprimi mes popujve tanë, ka bërë që përparimi i njërit vend të krijoj mundësi zhvillimi edhe për tjetrin.”, ka shkruar Konjufca.
Në postimin e tij, Konjufca ka rikujtuar historinë e emigrimit të shqiptarëve drejt Zvicrës, duke përmendur punëtorët që u larguan gjatë viteve të shtypjes në Jugosllavi, të përndjekurit politikë që gjetën strehim atje, si dhe mijëra shqiptaret që Zvicra i priti gjatë viteve ’90, përballë regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit me Cassis është diskutuar edhe për integrimin evropian të Kosovës, mbështetjen zvicerane në këtë proces, si dhe për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe mundësitë për rritjen e investimeve zvicerane në Kosovë.
Pas takimit, të dy kanë marrë pjesë në përurimin e objektit të ri të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, të cilin Konjufca e ka cilësuar si dëshmi të përkushtimit afatgjatë të Zvicrës ndaj vendit tonë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info



