Gazeta e njohur italiane Gazzetta dello Sport ka raportuar për probleme të rënda në dhomën e zhveshjes së Napolit, pas humbjes së thellë 4-1 ndaj Portos në xhiron e katërt të Ligës së Kampionëve.
Sipas këtij mediumi, skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri është ndarë në disa grupe, ndërsa pakënaqësitë mes futbollistëve po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Në mesin e emrave që përmenden për këtë situatë është edhe mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani (32), i cili veçohet së bashku me Frank Anguissan si dy nga futbollistët me përvojë që mund të jenë në shënjestër të kritikave nga bashkëlojtarët.
Napoli pësoi humbjen e shtatë në 14 ndeshje të zhvilluara këtë sezon.
Në Serie A, skuadra renditet në vendin e tetë me 14 pikë pas dhjetë xhirove, ndërsa në Ligën e Kampionëve ka grumbulluar vetëm tre pikë në katër ndeshje.
Pas disfatës ndaj Portos, disa futbollistë nuk e fshehën pakënaqësinë e tyre me gjendjen aktuale të ekipit.
Deklarata e Matteo Politanos pas ndeshjes ndaj Portos tërhoqi vëmendje të veçantë.
Ai kërkoi që edhe lojtarët e tjerë të merrnin përgjegjësi dhe të flisnin publikisht për problemet. “Do të doja që një shok skuadre të vinte dhe të shpjegonte se çfarë po ndodh, dhe jo gjithmonë vetëm ne italianët”, deklaroi Politano.
Gazzetta beson se kjo deklaratë mund t’i jetë drejtuar futbollistëve me përvojë, të cilët kanë një rol të rëndësishëm në dhomën e zhveshjes, por që rrallëherë dalin publikisht për të komentuar situatat pas humbjeve.
Sipas raportimit të Gazzettas, në dhomën e zhveshjes së Napolit janë krijuar disa grupe futbollistësh, të cilët kalojnë kohë së bashku edhe jashtë fushës.
Grupi italian udhëhiqet nga Giovanni Di Lorenzo, Matteo Politano dhe Leonardo Spinazzola, ndërsa Noa Lang dhe David Neres janë veçanërisht të afërt me njëri-tjetrin.
Frank Anguissa përshkruhet si një futbollist më i rezervuar, i cili ndjehej afër me Victor Osimhenin dhe Juan Jesusin, por pas largimit të tyre, ai ka humbur disa nga bashkëlojtarët me të cilët kishte afërsi më të madhe.
Tensionet në skuadrën e Napolit nuk janë vërejtur vetëm jashtë fushës, por edhe gjatë ndeshjeve.
Gjatë humbjes ndaj Portos, Kevin De Bruyne dhe Lorenzo Lucca patën një përplasje verbale, pasi De Bruyne i shprehu pakënaqësinë Luccas për një mundësi të humbur shënimi.
Pas përfundimit të ndeshjes, edhe Scott McTominay dhe Rasmus Hojlund shprehën pakënaqësinë e tyre për rezultatet e skuadrës.
Sipas Gazzettas, Napoli pritet të organizojë një mbledhje të ekipit dhe të qëndrojë në grumbullim në kampin stërvitor të klubit, me qëllim që të analizojë situatën dhe të përmirësojë marrëdhëniet mes futbollistëve.




