temp image 132 temp image 132 scaled

Misteri i Ri Sol-jusë: Jeta dhe Stili i Zonjës së Parë të Koresë së Veriut

- Advertisement -

Jeta e Ri Sol-jusë, bashkëshortes së liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, vazhdon të mbetet e mbuluar me mister.

Ajo shpesh konsiderohet si një nga zonjat e para më enigmatike në botë, dhe informacionet e konfirmuara për të janë shumë të pakta.

Një vëmendje të veçantë ka tërhequr e kaluara e saj, preferencat për veshje dhe aksesorë luksozë, si dhe mungesat e saj të herëpashershme nga paraqitjet publike.

Ri Sol-ju u shfaq për herë të parë në publik në vitin 2012, gjatë një aktiviteti zyrtar në shoqërinë e Kim Jong-unit.

Mediat shtetërore e konfirmuan më vonë se ajo ishte bashkëshortja e tij.

Sipas informacioneve të publikuara, çifti është martuar në vitin 2009.

Fillimisht, ajo prezantohej nga mediat shtetërore me titullin “shoqja Ri Sol-ju”, ndërsa në vitin 2018 nisi të cilësohej si “zonja e parë e nderuar”, duke theksuar pozitën e saj në hierarkinë shtetërore.

Sipas raporteve të mediave të huaja, Ri Sol-ju ka lindur në qytetin Chongjin, në veri të Koresë së Veriut, dhe është rritur në një familje me gjendje të mirë ekonomike.

Thuhet se nëna e saj ka qenë drejtuese e repartit të gjinekologjisë, ndërsa babai profesor universitar.

Megjithatë, as viti i saktë i lindjes së saj nuk është konfirmuar, duke përmendur burime të ndryshme vitet 1985 dhe 1989.

Ajo është arsimuar në Phenian dhe ka studiuar për këndim edhe në Kinë.

Para martesës, besojnë se është marrë me muzikë dhe ka performuar me orkestrën e njohur koreano-veriore “Unhasu”.

Disa media raportojnë se pas martesës, autoritetet kanë tentuar të zhdukin gjurmët e karrierës së saj muzikore, duke përfshirë edhe incizimet e performancave, por këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Besohet se çifti ka tre fëmijë, por deri tani publiku ka njohur vetëm vajzën e tyre, Kim Ju-ae, e cila u shfaq për herë të parë para kamerave në vitin 2022, gjatë një vizite në një lokacion nga i cili u lansua një raketë balistike ndërkontinentale.

Interesant është se ekzistencën e vajzës së tyre e kishte bërë të ditur vite më parë ish-basketbollisti amerikan Dennis Rodman, pas një vizite në Korenë e Veriut. “Kim Jong-un ka një familje të mrekullueshme dhe është një baba i mirë”, kishte deklaruar Rodman në një intervistë.

Sipas informacioneve të pakonfirmuara, çifti ka edhe një djalë të lindur në vitin 2010, si dhe një fëmijë tjetër që besohet se ka lindur në vitin 2017.

Autoritetet koreano-veriore nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht këto raportime.

Ri Sol-ju tërheq vëmendjen edhe me zgjedhjet e saj të modës.

Ndryshe nga bashkëshortet e liderëve të mëparshëm, të cilat zakonisht shfaqeshin me veshje tradicionale, ajo preferon fustane elegante, veshje me prerje moderne dhe aksesorë të markave luksoze ndërkombëtare.

Në qershor të vitit 2025, ajo u fotografua me pantallona të zeza dhe një bluzë të bardhë, të kombinuara me një çantë të markës “Gucci”.

Në paraqitje të tjera është fotografuar edhe me një çantë “Dior”.

Preferenca e saj për markat luksoze të modës është veçanërisht e dukshme, sidomos duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e popullsisë së Koresë së Veriut jeton nën kufizime të rrepta dhe nuk ka qasje në produkte të tilla.

Ri Sol-ju e shoqëron herë pas here bashkëshortin në ngjarje të rëndësishme shtetërore dhe udhëtime diplomatike.

Ajo mori pjesë në takimet historike ndërmjet dy Koreve në vitin 2018, ku u takua edhe me zonjën e parë të atëhershme të Koresë së Jugut, Kim Jung-sook.

Po atë vit, ajo shoqëroi Kim Jong-unin gjatë një vizite në Kinë.

Megjithatë, paraqitjet e saj publike janë të rralla dhe jo të rregullta.

Në disa raste, Ri Sol-ju ka munguar për muaj të tërë në aktivitetet zyrtare, duke nxitur spekulime për arsyet e kësaj mungese.

Madje, kanë qarkulluar pretendime të pakonfirmuara se Kim Jong-un mund ta ketë tërhequr qëllimisht nga jeta publike, por deri tani nuk ka prova të besueshme që mbështesin këto raportime.

Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com

- Advertisement -