Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar një takim me drejtorin e Europol-it, Jürgen Ebner, ku janë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit në luftën kundër grupeve kriminale ndërkombëtare.
Sveçla theksoi se Kosova vazhdon të jetë një partner serioz për Europolin, duke arritur rezultate të vazhdueshme në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani. “Me z.
Jürgen Ebner, Drejtor i Europol-it, rikonfirmuam sukseset e operacioneve tona të përbashkëta në luftimin e grupeve kriminale ndërkombëtare, që cenojnë sigurinë jo vetëm të vendit tonë, por edhe të rajonit e më gjerë,” theksoi Sveçla.
Ai gjithashtu përmendi operacionin e fundit, “Trado 3”, i zhvilluar më 3 nëntor, i cili ishte i udhëhequr nga Europol-i në bashkëpunim me shtatë shtete evropiane, përfshirë Kosovën. “Operacioni i fundit i realizuar më 3 nëntor të këtij viti, i njohur si ‘Trado 3’, i udhëhequr nga Europol-i në koordinim me shtatë shtete evropiane, ndër të cilat edhe Kosova, dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e Kosovës në goditjen e çdo aktiviteti kriminal,” theksoi ai.
Sveçla përmendi se bashkëpunimi me Europol-in do të vazhdojë të thellohet, me qëllim që të arrihen rezultate të reja të përbashkëta në luftimin e krimit të organizuar ndërkombëtar dhe forcimin e sigurisë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info



