Gjykata Supreme Federale e Zvicrës ka marrë një vendim të rëndësishëm, duke deklaruar se autoritetet nuk kanë të drejtë t’i detyrojnë operatorët e internetit të bllokojnë faqe të caktuara pa një bazë të qartë ligjore.
Ky vendim është rezultat i ankesës së kompanisë zvicerane të internetit, Init7, e cila sfidoi një urdhër të Prokurorisë së Kantonit Vaud për bllokimin e disa faqeve që dyshohej se ishin të involvuara në mashtrime online.
Rasti ishte i lidhur me një platformë investimesh në bursë, ku dyshohet se dhjetëra individë ishin mashtruar për një shumë që kalon 1.7 milionë franga zvicerane.
Në korrik të vitit 2025, prokuroria kishte kërkuar nga operatorët e internetit që të bllokonin qasjen në këto faqe, me synimin për të parandaluar viktima të tjera.
Por, Gjykata Supreme vlerësoi se dispozitat e përgjithshme të procedurës penale nuk ofrojnë një bazë të mjaftueshme ligjore për të urdhëruar bllokimin e faqeve të internetit.




