Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, në përkujtimin e 10-vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, ka kërkuar drejtësi për të dhe përgjegjësi nga institucionet për zbardhjen e rrethanave që çuan në vdekjen e tij.
Tahiri shprehu se grupi parlamentar i Aleancës, me të gjitha kapacitetet e tij, kërkon nga shteti dhe sistemi i drejtësisë që të ofrojnë përgjigje për rastin Dehari. “Edhe grupi parlamentar i Aleancës, nga kjo foltore, në shënimin e 10-vjetorit të vrasjes së Astrit Deharit, pa asnjë dyshim, me krejt fuqinë institucionale kërkojmë nga shteti, nga sistemi i drejtësisë, drejtësi për Astritin.
Sikurse që kërkojmë përgjegjësi të drejtpërdrejtë prej kësaj shumice, e cila po harron se për gjashtë vjet i ka fituar mbi 50 për qind dhe nuk ka arritur të na sjellë në Kuvend një evidencë të thjeshtë, e cila së paku do t’u mundësonte qytetarëve të Kosovës, familjes, neve dhe juve që e keni pasur koleg, të dimë se çfarë ka ndodhur,” ka deklaruar Tahiri.
Ai theksoi se rasti duhet të trajtohet përmes institucioneve kompetente dhe kërkoi llogaridhënie nga ata që kanë qenë në pushtet gjatë këtyre gjashtë viteve. “Pra, lëreni këtë punë, mos e politizoni, kërkoni përgjegjësi edhe ndaj personave që janë në pushtet tash e gjashtë vjet dhe nuk kanë bërë asgjë rreth kësaj teme.
Pra, ne kërkojmë drejtësi si ju, por edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie,” theksoi deputeti i Aleancës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




