temp image 336 temp image 336 scaled

Abdul El-Sayed: Rinia dhe Revolucioni në Shëndetësinë e Michiganit

- Advertisement -

Abdul El-Sayed, demokrati që arriti të mposhtë republikanin Mike Rogers në Michigan, është një mjek dhe epidemiolog me profesion.

Ai është gjithashtu një ish-përfitues i bursës prestigjioze Rhodes në Universitetin e Oksfordit dhe në moshën 30-vjeçare, mori përsipër rimëkëmbjen e sistemit shëndetësor të Detroitit pas falimentimit të qytetit.

El-Sayed u shpall fitues të mërkurën në orët e para të mëngjesit, sipas kohës amerikane.

Sipas raportimeve, ai printe me gati gjashtë pikë përqindjeje, ndërsa ishin numëruar 85 për qind e votave.

Vendi në Senat ishte i lirë, pasi senatori demokrat në largim, Gary Peters, nuk kishte kandiduar për një mandat tjetër. “Michigan, ia dolëm!”, u tha ai mbështetësve të tij në Detroit.

El-Sayed i falënderoi ata për mundësinë që i dhanë për të kandiduar, duke theksuar se kishte më së paku gjasa për të fituar.

Abdulrahman Mohamed El-Sayed lindi më 31 tetor 1984 në zonën e Detroitit, në një familje që kishte ardhur nga Egjipti.

Ai u rrit në Detroit dhe në periferitë veriore të qytetit.

Edukimi i tij u ndikua nga babai, Mohamed, dhe njerka, Jacqueline, që vijnë nga qarku Gratiot në Michigan.

Ai u diplomua në Universitetin e Michiganit dhe gjatë studimeve të mjekësisë fitoi bursën Rhodes, falë së cilës kreu doktoraturën në shëndetin publik në Universitetin e Oksfordit.

Diplomën e mjekësisë e mori në Universitetin Columbia, ku nga viti 2014 ishte profesor asistent në Departamentin e Epidemiologjisë.

Sipas revistës Time, 42-vjeçari nuk e ushtroi asnjëherë mjekësinë në praktikë.

Në moshën 30-vjeçare, El-Sayed u emërua drejtor ekzekutiv i Departamentit të Shëndetësisë së qytetit nga kryetari i atëhershëm i Detroitit, Mike Duggan.

Kështu, ai u bë zyrtari më i ri i shëndetësisë në një qytet të madh amerikan.

Detyra e tij ishte të rimëkëmbte një shërbim që ishte privatizuar gjatë falimentimit të Detroitit.

Gjatë drejtimit të këtij institucioni, ai e sfidoi rritjen e emetimeve të dioksidit të squfurit nga rafineria e kompanisë Marathon.

Ai u largua nga kjo pozitë në vitin 2017 për të kandiduar për guvernator të Michiganit.

Një vit më vonë, humbi në zgjedhjet paraprake të demokratëve përballë Gretchen Whitmer.

Nga viti 2023 deri në vitin 2025, ai drejtoi Departamentin e Shëndetësisë, Shërbimeve Sociale dhe Çështjeve të Veteranëve në qarkun Wayne.

Që nga viti 2019, ai drejton edhe podkastin “America Dissected”, ku trajton politika dhe shëndet publik.

Kandidaturën e tij e shpalli në vitin 2025, me mesazhin se “në një shtet që ndërtoi ëndrrën amerikane, nuk duhet të jetë kaq e vështirë vetëm të mbijetosh”.

Fushatën e tij e ndërtoi mbi sigurimin shëndetësor universal, zgjidhjen e problemit të borxheve mjekësore dhe rritjen e taksave për miliarderët.

Në mbështetje të tij doli edhe ish-presidenti amerikan Barack Obama. “Abdul është mjek dhe ka dalë kundër interesave të veçanta për të luftuar për vende të mira pune, kujdes më të mirë shëndetësor dhe kosto më të ulëta”, deklaroi Obama.

Në një tubim në Detroit, Obama i krahasoi sulmet ndaj besimit dhe prejardhjes së El-Sayed me ato që kishte përjetuar edhe vetë. “Ne e kemi parë këtë film më parë.

Unë kam luajtur në të”, tha Obama.

Rogers, ish-kongresmen dhe ish-agjent i FBI-së, e paraqiti El-Sayedin si një kandidat tepër ekstrem për Michiganin.

Në fazën përfundimtare të fushatës, presidenti Donald Trump vuri në pikëpyetje besnikërinë e El-Sayedit ndaj Shteteve të Bashkuara, akuza që ky i fundit i hodhi poshtë. “Emri im dhe besimi im nuk janë arsyeja pse nuk mund ta përballoni karburantin, ushqimet apo vizitën te mjeku”, ishte kundërpërgjigjja e tij.

- Advertisement -