Protesta për vrasjen e Arlinda Zekaj vazhdon sot në Prishtinë, duke shënuar ditën e tetë me kërkesën për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale lidhur me rastin e saj.
Kjo protestë, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, do të nisë në orën 17:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Organizatorët kanë ftuar qytetarët që të mobilizohen, duke theksuar se protestat do të vazhdojnë deri sa të përmbushen kërkesat e tyre për drejtësi për Arlindën dhe për të gjitha gratë e vrara, si dhe për siguri për gratë që përballen me dhunë.
Një nga kërkesat kryesore të protestuesve është që femicidi të trajtohet si një urgjencë kombëtare, së bashku me shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Po ashtu, ata kërkojnë hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve institucionalë që dyshohet se kanë neglizhuar rastin e Zekajt.
Protestuesit gjithashtu kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e institucioneve të drejtësisë, policisë dhe Qendrës për Punë Sociale, nëse konstatohet se ata nuk kanë përmbushur detyrat e tyre në trajtimin e këtij rasti.
Një tjetër kërkesë është sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, si dhe krijimi i mekanizmave më efektivë për mbrojtjen e grave në rrezik.
Protestat dhe marshimet për kërkimin e drejtësisë për Arlinda Zekajn janë mbajtur gjithashtu në qytetet e Pejës, Mitrovicës, Ferizajt dhe Istogut.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info



