temp image 279 temp image 279

Prokuroria Speciale Merr në Shqyrtim Rastin e Vrasjes së Arlinda Zekajt

- Advertisement -

Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar para tri ditësh dosjen lidhur me dyshimet për mosveprim të zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Aktualisht, dosja është në shqyrtim dhe hetimi përqendrohet në përgjegjësinë eventuale të këtyre zyrtarëve për neglizhencën e mundshme, e cila mund të ketë ndikuar në realizimin e vrasjes.

Këtë informacion e konfirmoi ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, gjatë një konference për media.

Ai shpjegoi se kompetenca e kësaj prokurorie në këtë rast lidhet vetëm me dyshimet ndaj zyrtarëve, ndërsa pjesët e tjera të rastit po trajtohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. “Mund ta konfirmoj që Prokuroria Speciale para rreth tri ditësh ka pranuar, veçse në shqyrtim, dosjen në ndryshimin, apo në dyshimet sa i përket zyrtarëve policorë, zyrtarëve, apo prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët eventualisht mund të jenë të dyshuar për shkak të mosveprimit të tyre, se mund të ketë ardhur deri te neglizhenca dhe, si pasojë, rasti siç ka ndodhur apo kryerja e vrasjes.

Kështu që, po, Prokuroria Speciale e ka këtë rast në shqyrtim, por vetëm sa i përket zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve, eventualisht si të jenë, mund të jenë të përfshirë në rast, ndërsa raste të tjera, besoj veç se jeni informuar tashmë edhe nga zyra e kryeprokurorit të shtetit, janë duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë,” tha Paca.

Arlinda Zekaj u vra më 26 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa kunati i saj është i dyshuar për vrasjen.

Para vrasjes, ajo kishte raportuar dhunën në familje dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet përkatëse.

Vrasja e saj shkaktoi protesta në Prishtinë, ku qytetarët dhe aktivistët kërkuan drejtësi për viktimën dhe llogaridhënie nga institucionet që kishin trajtuar rastin.

Lidhur me këtë rast, 11 zyrtarë policorë janë suspenduar.

Sipas informacioneve të tjera, masa janë ndërmarrë edhe ndaj kryeprokurores dhe prokurores së Pejës, ndërsa drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -