Marrëveshje të pazbatuara, dialog i bllokuar politik dhe kritika të reja nga Bashkimi Evropian karakterizojnë situatën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë.
Në raportet e sivjetme të progresit, Komisioni Evropian thekson mungesën e përmbushjes së obligimeve nga të dyja vendet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Dialogu, i ndërmjetësuar nga Brukseli, nuk ka shënuar përparim të dukshëm politik për më shumë se tre vjet.
Takimi i fundit i nivelit të lartë u zhvillua në shtator të vitit 2023, ndërsa bisedimet kanë vazhduar në nivel kryenegociatorësh, pa i afruar palët drejt një marrëveshjeje të mundshme.
Prishtina e kushtëzon rikthimin në takimet e nivelit të lartë me dorëzimin e Millan Radoiçiqit, ish-politikanit serb të Kosovës, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë.
Nga ana tjetër, Beogradi këmbëngul në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Njohës të procesit vlerësojnë se Bashkimi Evropian ka ende mekanizma politikë dhe financiare për t’i nxitur palët drejt normalizimit, por mospajtimet brenda bllokut dhe mungesa e një strategjie të qartë po e kufizojnë ndikimin e saj.
Donika Emini nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, thotë se Brukseli mund të përdorë më shumë stimuj për të dyja vendet, përveç masave ndëshkuese.
Ajo përmend avancimin e aplikimit për anëtarësim në BE për Kosovën, si dhe mundësitë për Serbinë që lidhen me negociatat e anëtarësimit. “Hapja dhe mbyllja e kapitujve negociues, qasja në fondet evropiane, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe avancimi i përgjithshëm në procesin e integrimit mund të kushtëzohen shumë më qartë me përparimin në reformat demokratike, sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën,” thotë Emini.
Toby Vogel nga Këshilli për Demokratizimin e Politikave në Bruksel, vlerëson se BE-ja ka hapësirë për veprim, por kërkon një angazhim të mirëfilltë të Serbisë në dialog dhe një perspektivë reale për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Ai thekson se aplikimi i Kosovës për anëtarësim, i cili ka mbetur pa shqyrtim që nga dhjetori i vitit 2022, duhet të avancojë. “Është e tmerrshme që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE gjendet prej vitesh në sirtarët e Brukselit dhe Komisioni nuk e adreson,” thotë Vogel.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Bashkimit Evropian për pyetje rreth instrumenteve që ka në dispozicion për ta zhbllokuar dialogun dhe planet për rifillimin e takimeve të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk mori përgjigje.
Një nga pengesat kryesore për avancimin e Kosovës drejt BE-së qëndron brenda vetë bllokut, pasi pesë shtete anëtare nuk e njohin pavarësinë e saj.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022, por Këshilli i BE-së nuk ia ka përcjellë ende kërkesën Komisionit Evropian për opinion.
Ajo mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit.
Komisioni Evropian në raportin e tij për vitin 2026 vlerëson se bllokada e zgjatur institucionale në Kosovë ka penguar zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.
Për Eminin, vetëm premtimi për fonde dhe asistencë financiare nuk është i mjaftueshëm për t’i bindur palët të angazhohen seriozisht.
Angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve është një kusht për të dyja vendet.
Por, sipas saj, përvoja e vitit 2013 tregon se stimujt politikë mund të kenë ndikim më të madh.
Emini kërkon një përfshirje më aktive të shteteve kryesore të BE-së dhe një strategji që përcakton qartë përfitimet e secilës palë nëse i përmbush obligimet.
Vogel kritikon se BE-ja ka ushtruar më shumë presion ndaj Prishtinës sesa Beogradit. “BE-ja duhet ta ndryshojë qasjen, të ndryshojë mënyrën se si sillet me të dyja palët,” thotë ai.
Zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Serbi mund të ndikojnë në të ardhmen e dialogut, por nuk pritet ta zhbllokojnë menjëherë atë.
Kosova tani ka një Qeveri me mandat të plotë katërvjeçar, ndërsa në Serbi, zgjedhjet e tetorit sollën ndryshimin e pushtetit.
Ndërsa Serbia është në procesin e formimit të institucioneve të reja, as Emini dhe as Vogel nuk presin takim të nivelit të lartë gjatë pjesës së mbetur të vitit.
Megjithatë, stabilizimi institucional në Kosovë dhe ndryshimi i pushtetit në Serbi do të testojnë aftësinë e BE-së për të kthyer angazhimet politike në veprime konkrete.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




