Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë masa të rëndësishme gjatë kontrolleve të bëra nga maji deri në shtator të këtij viti, duke ndaluar aktivitetin e 11 fabrikave ose linjave të prodhimit të qumështit dhe produkteve të tij.
Kjo masë është marrë për shkak të përpunimit ose paketimit të produkteve që përmbajnë vaj palme, pa autorizimet përkatëse.
Sipas informacionit të dhënë për RTK-në, gjatë kësaj periudhe janë inspektuar 30 subjekte dhe janë identifikuar gjithsej 56 produkte me përmbajtje të vajit të palmës.
Në të njëjtën kohë, nga tregu janë tërhequr 16 mijë e 457.81 kilogramë produkte.
Masat e ndërmarra përfshijnë ndalimin e aktiviteteve të paautorizuara, tërheqjen e produkteve jokonforme nga tregu, ndërprerjen e certifikimit për eksport dhe inicimin e procedurave ligjore ndaj operatorëve që kanë shkelur kërkesat në fuqi.
Në të njëjtën kohë, AUV ka nisur zbatimin e një programi të përhershëm për survejimin dhe monitorimin e sektorit të qumështit.
Ky program parasheh kontrolle të rregullta dhe analiza laboratorike të përmuajshme për produktet vendore dhe ato të importuara.
Analizat do të përfshijnë verifikimin e përmbajtjes së vajit të palmës dhe yndyrave të tjera bimore, qumështit pluhur, aflatoksinave, mbetjeve të antibiotikëve dhe sigurisë mikrobiologjike.
Mostrat do të merren në fabrikat e përpunimit, pikat e grumbullimit të qumështit, depot, pikat e importit dhe rrjetin e shitjes me pakicë.
Sipas AUV-së, ky program synon identifikimin e hershëm të parregullsive, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin që produktet e qumështit të përmbushin kërkesat ligjore për përbërjen, etiketimin, cilësinë dhe sigurinë ushqimore.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




