Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur një konkurs për të zënë pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, me një mandat pesëvjeçar dhe mundësi për vazhdim.
Sipas kushteve të konkursit, kandidatët duhet të jenë shtetas të Kosovës, të kenë një diplomë universitare dhe të kenë së paku pesë vjet përvojë në njërën nga gradat policore: kolonel, nënkolonel, ose major.
Gjithashtu, është e domosdoshme që ata të mos kenë dënime të formës së prerë për vepra penale dhe të mos jenë ndëshkuar për shkelje të rënda disiplinore gjatë dhjetë vjetëve të fundit.
Aplikimi do të jetë i hapur nga 5 deri më 19 nëntor 2026, deri në orën 16:00.
Kandidatët duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm fizikisht në MPB, përmes postës, ose në adresën elektronike të caktuar në konkurs.
Përzgjedhja e kandidatëve dhe intervistimi do të kryhen nga Komisioni për Emërime të Larta në Polici.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë është përgjegjës për udhëheqjen, administrimin dhe menaxhimin e institucionit, ndërsa raporton drejtpërdrejt ministrit të Punëve të Brendshme.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




