Ministri i Transportit në Spanjë, Óscar Puente, ka dhënë dorëheqje pas gjashtë ditësh nga përplasja e dy trenave të shpejtësisë së lartë, ku për pasojë humbën jetën të paktën 69 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Puente e bëri publike dorëheqjen e tij të martën në mbrëmje, gjatë një seance në Kongresin spanjoll, teksa shpjegoi rreth aksidentit të ndodhur javën e kaluar pranë qytetit Urda, në jug të Madridit.
Në këtë ngjarje, një tren u përplas nga prapa me një tren tjetër që ishte i ndalur në shina. “Një ministër i Transportit në një vend si Spanja nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë pas dy aksidenteve të kësaj rëndësie brenda më pak se një viti,” tha ai, duke iu referuar gjithashtu aksidentit të janarit në të njëjtën linjë hekurudhore, ku humbën jetën 46 persona.
Aksidenti i fundit konsiderohet si një ndër fatkeqësitë më të rënda hekurudhore në historinë moderne të Evropës dhe më i rëndë në Spanjë që nga viti 2013.
Para njoftimit për dorëheqje, Puente kishte paraqitur në Kongres një sërë masash të reja për sigurinë hekurudhore, ndërsa ishte përballur me pyetje dhe kritika të shumta nga opozita.




