Përdorimi i inteligjencës artificiale për çështje shëndetësore po rritet me ritme të shpejta në Zvicër.
Rreth 42% e qytetarëve zviceranë kanë përdorur chatbot-et me inteligjencë artificiale për të kuptuar simptomat e sëmundjeve, pothuajse dyfishi i shifrës së regjistruar një vit më parë, kur kjo përqindje ishte 20%.
Të dhënat dalin nga studimi i fundit shëndetësor i kompanisë së sigurimeve CSS, i realizuar nga instituti kërkimor Sotomo.
Sipas rezultateve, përdorimi i këtyre teknologjive është rritur në të gjitha grupmoshat, por më i përhapur është te të rinjtë.
Plot 62% e personave të moshës 18 deri në 35 vjeç kanë kërkuar ndihmën e inteligjencës artificiale për të interpretuar simptomat e tyre.
Ndërkohë, te qytetarët mbi 65 vjeç kjo shifër arrin në 30%, krahasuar me vetëm 10% një vit më parë.
Chatbot-et përdoren si për shqetësime fizike, ashtu edhe për probleme të shëndetit mendor.
Studimi tregon gjithashtu se 28% e të anketuarve i konsiderojnë këto mjete ndër burimet kryesore të informacionit për simptomat fizike, ndërsa për shqetësimet psikologjike kjo përqindje është rritur nga 11% në 16%.




