Trajneri i Real Madridit, José Mourinho, ka mbajtur një konferencë për media para ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj AEK-ut, e cila do të luhet të mërkurën në Athinë.
Portugezi ka folur për gjendjen e skuadrës, objektivat për këtë sezon, disa nga lojtarët kryesorë dhe procesin e ndërtimit të një ekipi fitues.
Real Madridi vjen në këtë ndeshje me tri fitore nga tri ndeshjet e para në fazën e ligës, por Mourinho ka theksuar se skuadra nuk duhet të kënaqet me rezultatet e deritanishme. “Jemi afër kualifikimit në fazën eliminatore, por ende larg sigurimit të një vendi direkt në mesin e 16 skuadrave më të mira.
Na duhen pikë”, tha Mourinho, duke përmendur se Real Madridi ka fituar vetëm një nga tetë ndeshjet e zhvilluara në Athinë.
Mourinho beson te procesi dhe jo te momentet e veçanta.
Kur u pyet nëse fitorja në Romë ishte një pikë kthese për sezonin, ai u shpreh se nuk beson shumë në momente të tillë, por në punën e vazhdueshme. “Emocionalisht, fitore të tilla sjellin gjithmonë diçka pozitive.
Megjithatë, nuk mendoj se ishte një pikë kthese në lojën tonë, sepse besoj më shumë te procesi”, tha ai.
Sipas tij, skuadra përmirësohet përmes stërvitjeve dhe ndeshjeve, pasi lojtarët njihen më mirë me njëri-tjetrin.
Trajneri gjithashtu foli me superlativa për Federico Valverden, duke e vlerësuar si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Mourinho theksoi se përgjegjësia e kapitenit e ka ndryshuar mënyrën se si uruguaiani i sheh gjërat dhe se ai është i gatshëm të luajë në pozita të ndryshme. “Për mua, ai është një kapiten i vërtetë.
Jam i bindur se Fede nuk do ta ketë problem të luajë në çdo pozitë.
Jam i sigurt se në një moment do të kthehet në qendër të mesfushës”, tha Mourinho.
Ai pranoi se është i kënaqur me paraqitjet e Valverdes si mbrojtës i krahut, por shtoi se do të ketë nevojë për të edhe në mesfushë, në varësi të nevojave të ekipit.
Kur u pyet për kohën që do t’i duhej për të arritur përsosmërinë, Mourinho refuzoi të bëjë krahasime mes skuadrës aktuale dhe asaj që drejtoi gjatë mandatit të tij të parë në Madrid.
Ai vlerësoi potencialin e grupit aktual, por theksoi se kjo skuadër ende nuk ka fituar asgjë dhe se ndodhet vetëm në fillim të rrugëtimit të saj.
Portugezi gjithashtu komentoi repartin ofensiv, duke përmendur Viniciusin, Kylian Mbappén, Diomandén, Brahim Diazin dhe Endrickun si futbollistë që ofrojnë shumë mundësi në sulm.




