Iran dhe Shtetet e Bashkuara janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje që do t’i japë fund luftës.
Kështu deklaroi të martën një zyrtar i lartë iranian për agjencinë Reuters, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për të parandaluar një rikthim të mundshëm në konflikt aktiv pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA.
Gjatë natës, SHBA-ja realizoi sulme “mbrojtëse” në ishullin iranian Qeshm; një zyrtar amerikan njoftoi se këto sulme kishin në shënjestër raketat tokë-ajër që përdoreshin kundër aseteve amerikane.
Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) njoftoi se kishte rrëzuar një dron amerikan të tipit MQ-9 në hapësirën ajrore mbi pjesën lindore të Ngushticës së Hormuzit. “Ndërmjetësuesit po punojnë intensivisht për të ngushtuar hendekun mes Teheranit dhe Uashingtonit”, tha zyrtari i lartë iranian, pasi ndërmjetësues nga Katari mbërritën në Teheran të hënën në mbrëmje për bisedime mbi një version të projektmarrëveshjes SHBA-Iran, e cila është në fazë negocimi gjatë tetë ditëve të fundit. “Kushtet e Teheranit duhet të përmbushen nëse SHBA-ja dëshiron rihapjen e Hormuzit”, paralajmëroi zyrtari iranian, duke shtuar se bisedimet bërthamore mund të nisin vetëm më pas dhe se Teherani nuk do t’i pranojë “kërkesat e tepruara” të Uashingtonit.
Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Ghalibaf, deklaroi se tani i takon SHBA-së të veprojë, pasi Teherani i ka dhënë Uashingtonit një “përgjigje të fortë dhe racionale”.
Zyrtari i lartë iranian i tha agjencisë Reuters se Teherani do të përgjigjet me forcë – si brenda rajonit ashtu edhe jashtë tij – ndaj sulmeve amerikane. “Armiku kërkon ta detyrojë kombin iranian të dorëzohet përmes kërcënimeve dhe veprimeve ushtarake, por e kanë gabim; Irani nuk do të dorëzohet”, theksoi Ghalibaf, duke shtuar se përgjigjja e Teheranit ndaj çdo llogaritjeje të gabuar nga ana e SHBA-së do të jetë e paparashikueshme dhe nuk do të kufizohet nga asnjë kufi gjeografik.




