Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian në Kosovë, Dirk Schuebel, pati një takim sot me kryetarin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq.
Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë njoftoi se Schuebel theksoi rëndësinë e përfaqësimit politik dhe angazhimit aktiv në Kuvendin e Kosovës për të promovuar dhe mbrojtur interesat e komunitetit serb. “Në takimin e sotëm me kryetarin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiqin, Përfaqësuesi Special i BE-së/Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, theksoi rolin jetik të përfaqësimit politik dhe pjesëmarrjes aktive në Kuvendin e Kosovës në promovimin dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit”, thuhet në njoftim.
Zyra e BE-së po ashtu informoi se Schuebel i foli Simiqit për rëndësinë që partitë politike t’i japin përparësi integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian. “Schuebel theksoi rëndësinë që të gjitha partitë politike t’i japin përparësi integrimit të Kosovës në BE dhe që Kuvendi të mundësojë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në punën e komisioneve parlamentare, në përputhje me Kushtetutën”, thuhet më tej në njoftim.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




