temp image 77 temp image 77

Dita Ndërkombëtare për Dhënien Fund të Pandëshkueshmërisë së Krimeve ndaj Gazetarëve

- Advertisement -

2 Nëntori shënohet si Dita Ndërkombëtare për Dhënien Fund të Pandëshkueshmërisë së Krimeve ndaj Gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar, duke kërkuar që rastet e dhunës ndaj gazetarëve dhe punëtorëve medial të trajtohen me seriozitet nga organet kompetente.

Sipas AGK-së, ka një hendek shqetësues ndërmjet numrit të incidenteve të raportuara dhe atyre që marrin trajtim institucional.

Në vitin 2024, u raportuan 53 raste të tilla, ndërsa vetëm 12 prej tyre figuronin në evidencat zyrtare të Policisë së Kosovës. “Situata vazhdoi të ishte shqetësuese edhe gjatë vitit 2025, kur AGK-ja dokumentoi gjithsej 69 raste.

Nga të dhënat institucionale të siguruara deri më 31 tetor 2025, vetëm për 12 raste kishte informacione zyrtare nga policia apo prokuroria.

Nga këto, dy kishin përfunduar me vendime dënuese, ndërsa dhjetë të tjera ishin në procedurë.

Ndërkohë, nga 1 janari deri më 31 tetor 2026, AGK-ja ka regjistruar 33 raste të tjera, duke vërtetuar se kërcënimet, sulmet dhe format e tjera të cenimit të sigurisë së gazetarëve vazhdojnë të mbeten një shqetësim serioz, që kërkon përgjigje të vazhdueshme dhe efektive nga institucionet e drejtësisë”, thuhet në reagim.

AGK-ja gjithashtu ka evidentuar vonesa në trajtimin e këtyre rasteve, mungesë transparence për procedurat hetimore dhe gjyqësore, si dhe ka vërejtur mangësi në koordinimin mes Policisë, prokurorisë dhe gjykatave.

AGK-ja kërkon nga institucionet kompetente që: – Të trajtojnë me prioritet dhe pa vonesa të pajustifikuara të gjitha rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, duke siguruar hetime të pavarura, të plota dhe efektive. – Të rishikojnë statusin e rasteve të pazgjidhura nga vitet e kaluara dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për përparimin e procedurave, në përputhje me ligjin. – Të sigurojnë koordinim të vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjykatave, përmes një sistemi të harmonizuar të evidentimit dhe përcjelljes së rasteve. – Të publikojnë të dhëna periodike për numrin e rasteve të raportuara, hetimeve, aktakuzave, procedurave gjyqësore dhe vendimeve përfundimtare, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe integritetin e hetimeve. – Të garantojnë masa të përshtatshme mbrojtëse për gazetarët që përballen me kërcënime, veçanërisht në rastet e përsëritura dhe ato që përfshijnë dhunë apo ngacmim me bazë gjinore. “AGK-ja vlerëson se siguria e gazetarëve nuk mund të garantohet vetëm përmes reagimeve publike pas incidenteve.

AGK-ja kërkon veprime të vazhdueshme institucionale, hetime efektive dhe vendime gjyqësore të bazuara në ligj, të cilat sigurojnë përgjegjësi për autorët e veprave penale.

Pandëshkueshmëria e sulmeve ndaj gazetarëve nuk cenon vetëm sigurinë e tyre personale dhe profesionale, por edhe lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar. Çdo rast që mbetet pa trajtim efektiv rrezikon të krijojë një ambient ku kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve normalizohen”, thuhet ndër të tjera.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -