Alejandro Balde është gati të largohet nga Barcelona në afatin kalimtar të janarit, pasi ka filluar të pranojë se situata e tij në klub nuk ka shanse të ndryshojë.
Sipas “Mundo Deportivo”, mbrojtësi i majtë spanjoll po ndjehet gjithnjë e më pak i kënaqur me rolin e tij në skuadër, pasi që nga fillimi i sezonit ka mbetur në hije të planeve të trajnerit Hansi Flick.
Balde kishte shpresuar të rikthehej në formacionin bazë pas lëndimeve në repartin defensiv, por qasja e trajnerit gjerman ndaj tij nuk ka pasur shumë ndryshime.
Vendimi për ta lënë jashtë nga minuta e parë në ndeshjen ndaj Alavesit ishte një tjetër dëshmi e situatës së tij.
Me Joao Cancelo dhe Xavi Espart përpara tij në hierarkinë e mbrojtësve të majtë, 23-vjeçari po humbet gjithnjë e më shumë besimin se do të ketë një rol më të rëndësishëm.
Për më tepër, Balde është i zhgënjyer nga mënyra se si Flick po e menaxhon këtë situatë.
Trajneri gjerman nuk ka qenë mjaftueshëm i drejtpërdrejtë në komunikimin me balistin spanjoll.
Së fundmi, Flick kishte dhënë një vlerësim kritik për paraqitjet e tij, duke thënë se Balde i mungon vetëbesimi i nevojshëm për të performuar në nivelin më të lartë.
Ndërkohë, Barcelona po punon për shitjen e tij në janar, ashtu siç kishte tentuar edhe gjatë verës, me qëllim që të sigurojë të ardhura për përforcimin e repartit defensiv.




