Lufta në Iran dhe tensionet në Jemen kanë lejuar rebelët Huthi dhe Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit të fitojnë kontroll mbi dy nga korridoret detarë më të rëndësishme në botë, Bab el-Mandebin dhe Hormuzin.
Kjo situatë ka sjellë humbje dhe kosto që do të ndihen për një kohë të gjatë.
Në fund të shtatorit, nëpër Ngushticën e Hormuzit kalonin 31 anije në ditë, ndërsa para fillimit të luftës me Iranin, numri i tyre arrinte deri në 138 në ditë, sipas të dhënave nga kompania për monitorimin e trafikut detar, Windward.
Gjithashtu, para luftës, nëpër këtë ngushticë transportoheshin rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë, ndërsa nga marsi deri në maj, kjo shifër ra mesatarisht në 2.7 milionë fuçi në ditë.
Sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), deri në mesin e qershorit, prodhuesit e Lindjes së Mesme kishin humbur më shumë se 1.3 miliardë fuçi në eksporte. Çdo referencë për “para luftës” tani është e pavlefshme dhe po humb rëndësinë e saj në korridoret dhe ngushticat detare të Lindjes së Mesme.
Ngushticat e Bab el-Mandebit dhe Hormuzit nuk kanë qenë kurrë më të kufizuara për lundrim, ndërsa kalimi është bërë edhe më i vështirë për shkak të minave detare të vendosura nga Irani, si dhe nga sulmet me raketat dhe dronët e rebelëve Huthi dhe të Iranit.
Ngushtica e Hormuzit, në pikën më të ngushtë, është vetëm 33 kilometra e gjerë, ndërsa korridori i lundrimit në secilin drejtim është rreth 3.2 kilometra.
Që nga 4 maji, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka në mbikëqyrje një zonë që shtrihet nga vija Keşm – Umm al-Kuvejn deri te vija Kuh Mobarak – Fujairah, dhe anijet që kalojnë në këtë zonë duhet të marrin leje nga autoritetet iraniane.
Agjencia Detare Britanike (UKMTO) ka regjistruar 23 sulme ndaj anijeve në ngushticë dhe në afërsi që nga fillimi i tetorit.
Për të shmangur këto pengesa, Arabia Saudite ka ridrejtuar një pjesë të eksporteve të saj përmes naftësjellësit Lindje–Perëndim, me kapacitet prej shtatë milionë fuçish në ditë, drejt portit Yanbu në Detin e Kuq.
Sipas të dhënave të MEES dhe Kpler, eksportet nga Yanbu janë rritur nga rreth 750 mijë fuçi në ditë para luftës në katër deri në 4.5 milionë fuçi në ditë.
Megjithatë, naftësjellësi u dëmtua në shtator nga një sulm me dronë, dhe autoritetet saudite dhe irakiane kanë deklaruar se dronët u lëshuan nga Iraku.
Kompania saudite Aramco e ka vënë sërish në funksion naftësjellësin, por me kapacitet të reduktuar.
Emiratet e Bashkuara Arabe eksportojnë 1.8 milionë fuçi naftë në ditë përmes naftësjellësit Habshan–Fujairah, duke shmangur Ngushticën e Hormuzit.
Sipas IEA-së, eksportet e përgjithshme të vendit u rritën nga 1.9 milionë fuçi në ditë në mars në 4.3 milionë në fillim të qershorit.
Irani dërgon rreth 90 për qind të eksporteve të naftës përmes ishullit Kharg, ndërsa një pjesë e naftës e transporton përmes naftësjellësit Goreh–Jask, rreth 1.000 kilometra të gjatë, drejt një porti që ndodhet jashtë Ngushticës së Hormuzit.
Më 20 korrik, rebelët Huthi shpallën bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, dhe gjatë javës pasuese, numri i cisternave të naftës që kaluan nëpër Ngushticën e Bab el-Mandebit ra me 42 për qind, sipas të dhënave të Lloyd’s List Intelligence.
Qeveria e Jemenit pretendon se më 5 tetor, me mbështetje të Arabisë Saudite, i zmbrapsi rebelët Huthi nga bregdeti pranë ngushticës deri në zonën e Mokës, megjithatë ky pretendim nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Nëse Ngushtica e Bab el-Mandebit mbyllet, një cisternë nafte që niset nga Yanbu drejt Japonisë do të duhet të kalojë përmes Kanalit të Suezit dhe të lundrojë rreth Kepit të Shpresës së Mirë.
Sipas vlerësimeve të Kpler, kjo rrugë është rreth 14.700 milje detare, në vend të 7.650 miljeve, duke e zgjatur udhëtimin nga katër në tetë javë.
Një alternativë më e shkurtër për transportin e naftës drejt Evropës është kombinimi i Kanalit të Suezit me naftësjellësin egjiptian SUMED, i cili ka kapacitet prej 2.5 milionë fuçish në ditë.
Në mars, kompania Rystad Energy vlerësoi se riparimi i infrastrukturës së naftës dhe gazit në rajon do të kushtonte të paktën 25 miliardë dollarë.
Iraku ka humbur rreth 60 miliardë dollarë të ardhura nga eksportet e naftës për shkak të luftës, deklaroi më 16 tetor ministri i Jashtëm irakian, Fuad Hussein.
Sipas të dhënave të Kpler, në disa ditë të fundit të shtatorit, eksportet e naftës bruto nga Lindja e Mesme e tejkaluan mesataren e periudhës para luftës, prej 18 milionë fuçish në ditë.
Megjithatë, një pjesë e madhe e naftës u transportua përmes rrugëve alternative.
Më 16 tetor, një fuçi naftë Brent kushtonte 109.86 dollarë, pas një kulmi në 30 prill, kur për një periudhë të shkurtër arriti në 126.41 dollarë për fuçi.
