Mediumi i njohur CNN e ka vlerësuar Adri Mehmetin, talentin e New York Red Bulls, si një nga yjet e ardhshëm të futbollit për Kombëtaren e Amerikës.
Edhe pse është ende i ri, Mehmeti është shndërruar në një titullar të rëndësishëm te New York Red Bulls, duke debutuar muajin e kaluar me Kombëtaren A të Shteteve të Bashkuara.
Ai është pjesë e një gjenerate të re futbollistësh të rinj që po dalin nga Major League Soccer (MLS) dhe pritet që të çojnë futbollin amerikan në një nivel tjetër. “Nuk e prisja që gjithçka të ndodhte kaq shpejt”, ka thënë Mehmeti në një intervistë për CNN Sports, duke reflektuar mbi ngritjen e tij të shpejtë. “Në fillim mendoja: ‘Uau, kjo është e çmendur’, sepse një vit isha te skuadra e dytë, ndërsa vitin tjetër u gjenda te ekipi i parë”. “Jam shumë mirënjohës ndaj të gjithë trajnerëve dhe stafit që më kanë besuar dhe më kanë dhënë mundësinë të luaj në këto ndeshje. Çdo ditë po mësohem gjithnjë e më shumë me këtë”, shton ai.
Në shumë aspekte, Mehmeti sfidon pritshmëritë.
Fytyra e tij rinore nuk tregon se ai luan në një nga pozitat më të vështira në fushë, atë të mesfushorit defensiv, ku zakonisht kërkohet përvojë dhe pjekuri taktike.
Por kur është në qendër të fushës, ai duket krejtësisht natyral.
Me çorapet e ulëta dhe një gjatësi prej rreth 1.83 metra, Mehmeti lëviz me lehtësi, kërkon topin edhe në hapësira të ngushta dhe tregon besim të madh në aftësitë e tij teknike.
Pas ngritjes së tij qëndrojnë talenti natyror, përkushtimi dhe sakrificat familjare.
Gjithçka nisi që në fëmijërinë e tij, kur babai i tij u bë figura më e rëndësishme në rrugëtimin drejt futbollit profesionist. “Për mua, babai im është ndikimi më i madh, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj”, ka thënë Mehmeti. “Në fushë më ka ndihmuar shumë.
Besoj se kam filluar të luaj me top me të kur isha rreth dy vjeç.
Luajtja çdo ditë me top në oborrin e shtëpisë më lidhur me futbollin dhe më bëri ta dashuroj këtë sport që në fillim”. “Me kalimin e kohës, dashuria ime për futbollin u rrit çdo ditë.
Teksa rritesha, e kuptova se kjo ishte ajo që dëshiroja të bëja dhe ëndrra që doja ta realizoja”.
Për shumë fëmijë që u rritën në New York gjatë viteve 2010, futbolli nuk ishte domosdoshmërisht sporti i parë i preferuar.
Shumica orientoheshin drejt basketbollit apo bejsbollit, por për Mehmetin futbolli ishte gjithmonë në qendër të jetës.
Të dy prindërit e tij janë nga Shqipëria, një vend ku futbolli ka një vend të veçantë në jetën e njerëzve.
Edhe babai i tij kishte luajtur futboll në rini, duke përfaqësuar vendin në nivel të grupmoshave.
Kjo dashuri për lojën iu përcoll edhe Mehmetit, i cili vazhdon të jetojë me familjen e tij, pavarësisht se tashmë është pjesë e futbollit profesionist. “Ende e dua futbollin çdo ditë.
Ndonjëherë, edhe tani, luaj me top me babanë në oborrin e shtëpisë”. “Shpesh e mbaj topin pranë këmbëve edhe brenda shtëpisë.
Gjithmonë kam një top afër vetes dhe nuk besoj se kjo dashuri do të zhduket ndonjëherë, sepse ky është sporti që kam zgjedhur dhe për të cilin prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë”. “Kjo është edhe arsyeja pse e bëj për ta.
Sakrificat e tyre më motivojnë çdo ditë”, përfundon talenti me origjinë shqiptare.
Përndryshe, Mehmeti ka përfaqësuar Shqipërinë në të kaluarën por pastaj zgjodhi Amerikën.
Meqenëse ende nuk ka debutuar zyrtarisht me SHBA-në, ai ka ende të drejtë që të ndryshojë mendje dhe të luajë për “Kuq e Zinjtë”, por një situatë e tillë duket e vështirë për t’u realizuar.
