KS Network Publishing

Protestat kundër Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Serbi Arrijnë Përmasa të Paprecedenta

Eurodeputeti Andreas Schieder, kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian që do të monitorojë zgjedhjet e ardhshme në Serbi, shpalli sot se protestat kundër këtij misioni vëzhgues kanë marrë përmasa të paprecedenta.

Ai reagoi ndaj kundërshtimit të ushtrueses së detyrës së presidentes së Serbisë, Ana Brnabiq, për emërimin e tij në krye të delegacionit, duke e cilësuar situatën si një “sulm të paparë deri më tani” në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve APA, gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.

Brnabiq, në një letër dërguar presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, akuzoi Schiederin dhe anëtarët e tjerë të delegacionit për njëanshmëri politike, sipas N1.

Në letrën që e ka parë agjencia APA, ajo pretendon se Schieder, gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve në Serbi në dhjetor të vitit 2023, “ka shkelur vazhdimisht dhe në mënyrë të dukshme Kodin e Sjelljes për Vëzhguesit Ndërkombëtarë të Zgjedhjeve”.

Schieder, i cili ka kritikuar më parë pushtetin e ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, sot mori mbështetje nga deputeti i Partisë Popullore Austriake (ÖVP), Lukas Mandl. “Serbia mendon se mund të zgjedhë vetë se kush do ta kryejë këtë vëzhgim të zgjedhjeve.

Austria është një mbështetëse e fuqishme e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Si austriak, Andreas Schieder është zgjedhja ideale për të udhëhequr misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve”, tha ai.

Në letrën e Brnabiqit përmendet edhe eurodeputeti i partisë NEOS, Helmut Brandstätter, i cili gjithashtu ka shprehur disa herë publikisht qëndrime kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiqit dhe është anëtar i delegacionit.

Exit mobile version