Shefi i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka vizituar një efektiv të Policisë së Shtetit që u plagos gjatë protestës, duke shprehur mirënjohje për punonjësit e policisë dhe duke bërë thirrje për ndalimin e dhunës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Balla theksoi se ka pasur nderin të punojë me efektivin e plagosur në kohën kur drejtonte Ministrinë e Brendshme.
Ai uroi shërim të shpejtë për të gjithë punonjësit e policisë që janë plagosur apo lënduar, si dhe për qytetarët që kanë mbetur të lënduar gjatë protestës. “Mirënjohje çdo punonjësi të Policisë së Shtetit dhe shërim të shpejtë çdo të plagosuri/lënduari.
Ajo që po bëni ju sot në mbrojtje të demokracisë, historia e Shqipërisë anëtare e Bashkimit Europian, do ta vlerësojë e kujtojë me krenari.
Uroj shërim të shpejtë edhe çdo të lënduari qytetar në protestë”, tha Balla.
Ai theksoi rëndësinë e rolit të Policisë së Shtetit në garantimin e sigurisë publike, duke kërkuar më shumë respekt ndaj uniformës dhe punonjësve që, sipas tij, përballen çdo ditë me krimin dhe paligjshmërinë. “PRANDAJ DUHET TË NDALET DHUNA!”, shkruan Balla, duke kujtuar se 232 punonjës të Policisë së Shtetit kanë rënë dëshmorë në krye të detyrës.
Ai shprehu se dhuna ndaj punonjësve të policisë përbën një goditje ndaj vetë shtetit, duke bërë thirrje për reflektim dhe respekt ndaj atyre që shërbejnë për sigurinë e qytetarëve. “Gjaku i policisë është gjaku i shtetit.
Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
