Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në një hapësirë toke mes fshatrave Bunavi dhe Grabian.
Flakët, për shkak të erës së fortë që frynte në zonë, janë përhapur me shpejtësi, kryesisht në drejtim të fshatit Grabian.
Gjatë kohës që zjarri ka qenë aktiv, tri shtëpi të banuara në këtë fshat kanë qenë në rrezik.
Situata, për shkak të erës së fortë, ka dalë për një moment jashtë kontrollit, ndërsa flakët kanë avancuar me shpejtësi duke rrezikuar shtëpitë.
Disa prej banorëve të zonës janë shprehur të frikësuar nga situata e krijuar.
Sipas tyre, flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë rrezikuar shtëpi të tjera.
Ata shprehen se deri më tani janë djegur me dhjetëra rrënjë ulliri shekullor, si dhe pemëtari në zonë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Shefi i repartit të shërbimit zjarrfikës, Luan Kapaj, ka deklaruar se rreziku për shtëpitë ka përfunduar, por zjarri vazhdon të jetë aktiv dhe vatra ka ende mundësi për t’u përhapur.
Sipas Kapajt, deri më tani janë djegur me dhjetëra rrënjë ulliri në zonën e fshatit Grabian.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
